101 vite marrëdhënie Shqipëri-SHBA, Nikolla: Histori e pashembullt partneriteti
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në një mesazh përshëndetës me rastin e 101-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një histori e pashembullt miqësie, bashkëpunimi e partneriteti.
“Sot hymë në vitin e dytë të 100-vjeçarit të dytë të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një histori mbështetjeje e mbijetesës, pavarësisë, sovranitetit e tërësisë territoriale të shtetit dhe kombit shqiptar në udhëkryqet e historisë”, u shpreh ajo.
Nikolla theksoi se kjo është një histori e pashembullt miqësie, bashkëpunimi e partneriteti, që sot zhvillohet si një partneritet strategjik dypalësh dhe në mbrojtje të lirisë, sigurisë dhe paqes.
“Një histori frymëzuese e marrëdhënieve njerëzore mes dy popujve, që u kanë mbijetuar sfidave të kohës dhe për të cilën jemi të gjithë krenarë! Faleminderit, Amerikë!”, shkruan Nikolla.


