Me lopata dhe pompa krahu shuhet zjarri në Malin e Gjallicës

Është arritur të neutralizohet zjarri i rënë në malin e Gjallicës, pasditen e së martës. Neutralizimi izjarrit sipas Bashkisë Kukës është bërë i mundur përmes ndërhyrjes së 20 forcave të ekipit zjarrëfikës, drejtorisë së pyjeve, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë,  emergjencat civile, zonat e mbrojtura.

Zjarri ra në lartësinë 1800 metra. Flakët sipas informacioneve paraprake kanë përfshirë një sipërfaqe prej 5 hektarë me pisha të larta halore. Vatra e zjarrit ndodhej në një terren të thepisur malorë duke e bërë të pamundur ndërhyrjën me automjete zjarrëfikëse.

Grupet e punës kanë ecur në këmbë ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit ështe është bërë me lopata dhe pompa shpine. Dyshohet se zjarri është vënë qëllimisht nga persona ende të panjohur por edhe nga temeraturat e larta që mbizotëruan të martën në Kukës.

Sakaq, Bashkia Kukës apelon të gjithë qytetarëve se zjarrëvënia e qëllimshme përbën një vepër penale, prandaj ju lutemi tregoni kujdes dhe mbroni pasuritë natyrore dhe mos i shkatrroni ato.Mali i Gjallicës është pjesë e zonës së mbrojtur natyrore të Parkut Kombëtar Korab-Koretnik-Kallabak.