Rrogozhina voton sërish, Kume: Tregon se ka funksionuar ligji, të vihen para drejtësisë ata që e shkelën

Nesër do të mbahen zgjedhjet në Rrogozhinë ku në garë janë përballë njëri-tjetrit opozitari Shkëlqim Hoxha dhe socialisti Edison Memolla.

Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume në një intervistë për Ora News deklaroi se përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë tregon se ka funskionuar ligji, por duhen vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që çuan në përsëritje të zgjedhjeve pasi kemi të bëjmë me shkelje flagrante të ligjit.

"Edhe në këtë proces zgjedhor, qytetarët nuk patën mundësi të zgjedhin atë që ata duan ta kenë si përfaqësues të tyre në Këshillat Bashkiakë. Edhe pse e kërkuan me ngulm dhe 22 mijë e 600 qytetarë u bënë sëbashku dhe duke shfrytëzuar tëdrejtën e tyre kushtetuese, paraqitën në Kuvend duke kërkuar ndryshimin e kodit zgjedhor në dispozita ku përcaktohet mënyra e zgjedhjes së kryetarëve duke e hapur sistemin, të kishin mundësi qytetarët të votonin me votë preferenciale dhe jo me listat e mbyllura të kryetarëve.

Unë nuk shoh problemin pse u përsëritën, përkundrazi, përsëritja e tyre tregon se ka vepruar ligji. Ajo që për mua është shumë e rëndëisshme pas kësaj dhe kapërcen interesin e qytetarëve të bashkisë së Rrogozhinës ka të bëjë me sjelljen dhe reagimin që do të kenë pas kësaj nga instituciont ligjzbatuese për të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e kësaj situate të ndodhur në bashkinë e Rrogozhinës. Është shkelur ligji në mënyrën më të skajshme për sa kohë që këto shkelje të ligjit çuan deri në përsëritjen e zgjedhjeve.

Shumë e rëndësishme është të gjurmohet dhe identifikohet e të vihen para përgjegjësisë ata që e shkaktuan një gjë të tillë. Nëse nuk do të ndodhë, situata me të cilën do të përballemi do të jetë shumë më tepër me ngarkesa negative se ç'jemi përballur në zgjedhjet e mëprashme, me ato dosjet e famshme të Durrësit dhe Dibrës që nuk u trajtuan asnjëherë siç do kishte qënë e nevojshme të trajtoheshin," tha ai.

Më 15 qershor, gjatë shqyrtimit të Kolegjit Zgjedhor, proces i cili zgjati rreth 4 orë, koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkoi pavlefshmëri të rezultatit të kutisë së burgut. Ishte kjo kuti e cila përmbysi diferencën e votave mes, Hoxhës dhe Memollës në 14 maj ku ky i fundit fitoi për herë të dytë bashkinë e Rrogozhinës.