Transferimi i të burgosurve shqiptarë nga Britania, Manja: Bazohet në pëlqimin e tyre, nuk do të ketë shmangie të dënimit

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka publikuar disa detaje të rëndësishme mbi marrëveshjen për transferimin e të burgosurve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

"Kjo marrëveshje ka si bazë dhënien e pëlqimit të personave të dënuar në Britani që duan të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, pranë familjarëve dhe familjeve të tyre.

Në zinxhirin e institucioneve që përfshihen në këtë proces sipas kësaj marrëveshje, përveç Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe homologëve tanë në Britani, është dhe Gjykata shqiptare që do të bëjë njohjen dhe konvertimin e dënimit të dhënë nga gjykatat Britanike, për çdo të dënuar, sipas legjislacionit shqiptar pavarësisht se ka efektet e dënimeve të dhëna nga drejtësia britanike.

Nuk do të ketë shmangie të dënimit nga asnjë person që transferohet nga Britania në Shqipëri," tha ai.