Prezantohen kandidatët për ambasadorë, Pecani para deputetëve: Marrëdhëniet me Rusinë, në nivelin më të ulët

Në drejtimin e Kryetares Mimi Kodheli, u mblodh ditën e sotme Komisioni për Politikën e Jashtme, ku u zhvillua dëgjesa me kandidatët për drejtues të Misioneve Diplomatike.

Dëgjesa vijoi me Genc Pecani, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Federatën Ruse, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Bjellorusisë dhe në Republikën e Uzbekistanit, jo rezident.

Pecani, gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Komisionit u shpreh se aktualisht marrëdhëniet politiko-ekonomie mes Shqipërisë dhe Federatës Ruse janë në nivelin më të ulët.

Agresioni në Ukrainë dhe masat e marra nga Tirana, tha ai kanë ulur nivelin e përfaqësimit.

“Detyrë e çdo ambasadori në një vend të huaj ka dy objektiva, mbrojtja dhe promovimi i interesave dhe vlerave kombëtare dhe së dyti promovimi i marrëdhënieve të gjithëanshme me vendin pritës. Do përpiqem të bëj më së miri atë që më takon”, u shpreh Pecani.

Marrëdhëniet ndër vite i renditi herë të mira dhe herë të ngrira, duke përfshire dhe 45 vitet e diktaturës.

Pavarësisht kësaj, Pecani tha se do të bëjë maksimumin për promovimin e vlerave të Shqipërisë në Moskë

Megjithese opozita vlerësoi kandidaturën, por nuk kurseu ironitë, sa i përket politikës në Shqipëri.

Artur Kuko, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, pranë Organizatave për Ndalimin e Armëve Kimike “OPCW”, prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit vizionin dhe qëllimet e tij në lidhje me detyrën për të cilën kandidon.

Kuko u shpreh se, do të vendosë të gjithë eksperiencën dhe aftësitë e tij për të maksimizuar realizimin e detyrës.

“Do synoja intensifikimin e dialogut politik, do të punoj me prioritet për të vijuar sigurimin e përkrahjes së Holandës ndaj vendit tonë për integrimin. Diplomacia publike do të jetë një tjetër dimension i punës time, do përpiqem të jem i pranishëm në media për të sjellë në vëmendje Shqipërinë për atë çka ofron vendi ynë për bashkëpunim”, u shpreh Kuko.

Komisioni për Politikën e Jashtme vijoi seancën dëgjimore me Albana Dautllari, kandidate për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Mbretërinë e Suedisë, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jo rezident.

Dautllari nënvizoi se, synon të ruajë dhe të forcojë bashkëpunimet me interes të përbashkët për të dy vendet.

“Marrëdhëniet ekonomike, përvec atyre politike e diplomatike, intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik duhet të jetë në fokus. Do inkurajoj të punohet më shumë në fushën energjetike dhe turizëm përmes programeve konkrete”, u shpreh Dautllari.

Dëgjesa e fundit në Komisionin e Politikës së Jashtme u zhvillua me Oljan Kanushi, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Sllovenisë, rezident.

Kanushi u shpreh se, “marrëdhëniet midis dy vendeve janë të mira në të gjitha nivelet. Objektivi është të qëndrohet në këtë klimë miqësore dhe të përmirësohet më tej duke iniciuar nisma të reja bashkëpunimi”.

Në Komsionin e Punëve të Jashtme janë prezantuar 7 nga 12 kandidatura e propozuara nga qeveria.

Pas votimit në parlament diplomatët e rinj do të dekretohen nga presidenti Begaj duke ndryshuar kështu 23 diplomatë brenda një muaji.