Putin kërcënon me hakmarrje për sulmin ukrainas në urën e Krimesë
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar me hakmarrje ushtarake kundër Ukrainës për sulmin ndaj urës në gadishullin e Krimesë në Detin e Zi.
“Sigurisht që përgjigja e Rusisë do të pasojë. Ministria po punon për propozimet përkatëse. Ajo që ndodhi është një tjetër akt terrorist nga Kievi”, tha kreu i Kremlinit në një takim.
Putin u bëri thirrje për masa të shtuara sigurie në urën nga Rusia kontinentale në gadishullin ukrainas të aneksuar në vitin 2014.
Ai mohoi se Rusia po e përdorte urën për transport ushtarak në luftën kundër Ukrainës.
Sipas Rusisë, anijet pa pilot me telekomandë shpërthyen eksploziv në objekt të hënën në mëngjes. Për pasojë është fundosur një pjesë e rrugës për makina, siç tregonin edhe fotot.
Themelet e urës nuk u dëmtuan, sipas zëvendëskryeministrit Marat Khusnullin. Putin e përshkroi këtë si një lajm të mirë.
