Skafi pësoi defekt dhe ngelën në mes të detit, policia shpëton 12 turistë në Kepin e Rodonit, 8 prej tyre të mitur

Falë ndërhyrjes në kohë nga efektivët e Forcës Detare u bë e mundur të shpëtohen 12 persona, mes të cilëve 8 fëmijë, të cilët lundronin me skaf. Mjeti lundrues kishte pësuar defekt, në afërsi të Kepit të Rodonit. Ata u shoqëruan në Portin e Durrësit dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 12 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf.

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 12 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar.

Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 12 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar defektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit.