Siguria e globit/ Presidenti i SHBA tur në Europë për një javë
Presidenti amerikan, Joe Biden të dielën nis turin tij në Europë me një axhendë që në fokus ka luftën në Ukrainë, zgjerimin e aleancës ushtarake të NATO-s, dhe municionet thërrmuese.
Ndalesa e parë e Biden është në Londër, ku do të takohet me Mbretin Charles III për herë të parë që kur ky I fundit u kurorëzua, për të diskutuar mbi ndryshimet klimatike.
Më pas ai do të takohet dhe me kryeministrin britanik Rishi Sunak.
Ndalesën e dytë, Biden do ta bëjë në Lituani, në kuadër të samitit të NATO-s që do të mbahet në qytetin Vilnius dhe që do të zgjatë dy ditë.
Udhëheqësit e Aleancës do të diskutojnë për luftën dhe do të rishikojnë planet për t'u marrë me agresionin rus.
Mediat kanë shkruar se Joe Biden do të pyetet në Samit pse e ka miratuar ofrimin e municioneve thërrmuese për Ukrainën.
Gjithashtu në samit, Biden do të japë pëlqimin e tij në emër të SHBA-së për zgjatjen e mandatit me një vit të Sekretrit të NATO-s Jean Stoltenberg.
Ndalesa e fundit e presidentit të SHBA pritet të enjten në Helsinki, për të festuar zgjerimin e aleancës së Nato-s, me Finlandën si anëtaren më të re.
Shtëpia e Bardhë e cilëson vizitën e Biden në Helsinki si një samit të liderëve amerikano-nordik dhe do të jetë shumë ndryshe nga vizita e ish-presidentit Donald Trump, pesë vjet më pare.
Gjatë atij udhëtimi, Trump mbajti një konferencë shtypi me Putinin dhe hoqi shqetësimet për ndërhyrjen ruse në fitoren e Trumpit në zgjedhje.
Tani Biden po shkon në vendet nordike për të demonstruar se si ai dhe administrata e tij kanë mbajtur linjën kundër Moskës dhe ka zgjeruar mbrojtjen perëndimore.
Këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se udhëtimi i Biden do të tregojë lidershipin e presidentit amerikan në skenën botërore.