Sekti i masakrave të Charles Manson, pas 50 vitesh “engjëlli i vdekjes” kthehet në liri

Pas më shumë se 50 vitesh burg, Leslie Van Houten, e ashtuquajtur “engjëlli i vdekjes” i sektit të Charles Manson, mund të lirohet pas 15 ditësh. Këtë e kanë raportuar mediat amerikane.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka njoftuar se nuk do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të shtetit të bllokojë lirimin me kusht për gruan 72-vjeçare të dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e saj në vrasjen e Leno LaBianca, një pronar dyqani në Los Anxhelos dhe gruas së tij Rosemary, në vitin 1969. Van Houten ishte 19 vjeç në atë kohë.

E dënuara me burg përjetë Leslie Van Houten, e mbiquajtur engjëlli i vdekjes i sektit të Charles Manson, nuk mori pjesë në masakrën e Cielo Drive, në Los Angeles, në të cilën u masakruan aktorja Sharon Tate, e martuar me regjisorin Roman Polanski dhe shtatzënë tetë muajshe, tre shoqet e saj dhe një djal 18-vjeçar. Vrasjet u kryen nga Tex Watson (23 vjeç), Susan Atkins (21 vjeç) dhe Patricia Krenwinkel (21 vjeç), nën drejtimin e Manson.

Avokatja e Van Houten, Nancy Tetreault tha se ajo do të lirohet me kusht brenda javësh, raporton NBC News. “Ajo është e emocionuar dhe e tronditur”, tha Tetreault. “Ajo është mirënjohëse që njerëzit e kuptojnë se ajo nuk është i njëjti person që ishte kur kreu vrasjet”.