BE marrëveshje me vlerë 500 milionë euro për të rritur prodhimin e municioneve
Negociatorët e BE-së kanë arritur një marrëveshje që synon të rrisë furnizimet afatgjata të municioneve dhe raketave për Ukrainën, njoftoi sot presidenca spanjolle e BE-së.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë rënë dakord për t’i ofruar industrisë së mbrojtjes evropiane stimuj financiarë për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetet e prodhimit të pajisjeve ushtarake.
Nisma, e propozuar në maj, nga Komisioni Evropian, do të financohet nga buxheti i përbashkët i bllokut, me vlerë 500 milionë euro (544 milionë dollarë).
“Kjo është një tjetër dëshmi e angazhimit të palëkundur të BE-së, për të mbështetur Ukrainën”, tha ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles.
“Plani gjithashtu do të forcojë teknologjinë e mbrojtjes dhe bazën industriale të Bashkimit Evropian, duke siguruar përfundimisht sigurinë dhe mbrojtjen afatgjatë të qytetarëve të BE-së”, tha Robles në një deklaratë.
Vendet anëtare të BE-së kanë luftuar deri më tani për të furnizuar Ukrainën me municione, artileri dhe raketa, në menyrë që vendi të shmangë pushtimin e Rusisë.
Rritja e prodhimit të pajisjeve ushtarake, synon të parandalojë pengesat e mëtejshme për forcat e armatosura ukrainase, si dhe të sigurojë që shtetet e BE-së të mbeten të afta për të mbrojtur veten dhe të kenë rezerva të mjaftueshme.
Marrëveshja pritet të konfirmohet zyrtarisht nga shtetet anëtare të BE-së dhe parlamenti, dhe të hyjë në fuqi përpara fundit të korrikut.
