SHBA, gjykatësi kufizon kontaktet e qeverisë me operatorët e mediave sociale

Urdhëri i një gjykatësi federal në Luiziana ka ndezur një betejë të rëndësishme për mënyrën se si i lejohet qeverisë amerikane të ndërveprojë me platformat e mediave sociale, duke ngritur pikëpyetje të gjera, nëse dhe si duhet të luftojnë zyrtarët dezinformimin për shëndetin, apo çështje të tjera.

Gjykatësi federal Terry Doughty, një konservator i emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Donald Trump, vendosi në Ditën e Pavarësisë masa kufizuese për disa agjenci qeveritare dhe zyrtarë të administratës.

Siç u shpreh gjykatësi, atyre u ndalohet t’i takojnë, apo t’i kontaktojnë përfaqësuesit e kompanive të mediave sociale me qëllim “inkurajimin, ushtrimin e trysnisë, apo nxitjen në çfarëdolloj mënyre për heqjen, fshirjen, çensurimin, apo shkurtimin e materialeve me përmbajtje të lirisë së shprehjes, e cila mbrohet me ligj”.

Urdhëri ua ndalon gjithashtu agjencive dhe zyrtarëve të ushtrojnë trysni “në çfarëdolloj mënyre” ndaj kompanive të mediave sociale për të çensuruar postime, duke ngritur kështu pikëpyetje edhe se për çfarë munden të shkruajnë zyrtarët në forumet publike.

Urdhëri i Gjykatësit Doughty ia ndalon përkohësisht administratës veprime të tilla, deri në marrjen e vendimeve të mëtejshme gjatë procesit gjyqësor të hapur pas një padie të paraqitur nga prokurorët e zgjedhur nga radhët e republikanëve në Mizuri dhe Luiziana.

Departamenti i Drejtësisë e apeloi urdhërin e gjykatës dhe njoftoi se do të përpiqet të anulojë atë. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se “jemi sigurisht kundër këtij vendimi”. Ajo nuk pranoi të komentojë më gjerë.

Një zyrtar i administratës tha se ekziston shqetësimi për pasojat që mund të ketë vendimi tek përpjekjet për t’iu kundërvënë ekstremizmit të brendshëm – të përkufizuar nga komuniteti i zbulimit si një kërcënim parësor për vendin – por se kjo do të varet sidoqoftë nga periudha se sa do të qëndrojë në fuqi ky urdhër ndalimi, si dhe nga hapat që do të ndërmarrin vetë platformat sociale. Zyrtari nuk ishte i autorizuar për të folur publikisht dhe foli me kusht të ruajtjes së anonimitetit.

Padia aludon se zyrtarët e qeverisë shfrytëzuan mundësitë për ndërhyrje rregullatore, për t’i detyruar platformat e mediave sociale, që të mos postonin ato, që administrata i konsideronte si informacione dezinformimi për një sërë tematikash, përfshirë për vaksinat ndaj COVID-19, për djalin e Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, si dhe për integritetin e zgjedhjeve.

Urdhëri dhe arsyetimi i përpiluar nga Gjykatësi Doughty, ku ndër të tjera thuhet se administrata “duket se ka siguruar një rol të ngjashëm me ‘Ministrinë e së Vërtetës’, sipas librit të autorit Xhorxh Orwell ‘1984’”, u përshëndetën nga konservatorët, si një fitore për lirinë e shprehjes dhe një goditje ndaj çensurës.

Ekspertët ligjorë u shprehën megjithatë të befasuar nga përmasat e shtrirjes së urdhërit, duke shtruar pyetjen nëse ai vendos kufizime të tepruara ndaj administratës së drejtuar nga presidenti Biden.“