Sherr i rëndë pranë Krujës, 2 persona dhunohen me sende të forta për një gurore
Një konflikt verbal ka degraduar drejt dhunës ditën e sotme në fshatin Borizanë pranë Krujës.
Konflikti ka nisur për shkak të një guroreje, ndërsa nga dhuna me sende të forta kanë mbetur të plagosur 2 persona.
"Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë - Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr. Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve." njofton policia.
Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.
