Tjetërsuan 63 mijë metra tokë në bregdet, gjykata dënon me 2 vite burg Klodi Trocin, Mino shpallet pa faj
Gjykata e Vlorës dënoi me dy vite burg ish drejtorin e Kadastrës, Klodian Troci si pjesë e një grupi që tjetërsuan rreth 63 mijë metra tokë në brigjet e Himarës. Skema e ishte ngritur mes drejtuesve të Kadastrës dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave në Vlorë dhe e bazuar në dokumente zyrtare.
Ish-drejtori i hipotekës së Vlorës, Klodian Troci, është dënuar me dy vite burgim si pjesë e një grupi që akuzohen se tjetërsuan pronësinë e 63 mijë metrave tokë në zonën e bregut të Gjilekës në Dhërmi, duke ja dhënë personave me lidhje të forta politike dhe biznesi.
Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e të drejtës për të pasur funksione publike në administratë për një periudhë 3 vjeçare për ish krye regjistruesin.
Gjyqtari i çështjes Hektor Sinanaj, caktoi dy vite burg dhe nuk pranoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e të drejtës së tij për një periudhë 3 vjeçare për tu punësuar në administratën publike.
Të njëjtën masë dënimi me 3 vjet burgim, prokuroria e Vlorës kërkoi dhe për dy të pandehurit e tjerë, Bardhyl Gjika dhe Kreshnik Mino. Por gjyqtari Sinanaj, e dënoi Gjikën me 3 vjet heqje lirie ndërsa Kreshnik Minon e deklaroi të pafajshëm.
Vendimet janë ankimuar nga prokuroria në Gjykatën e Apelit.
Pavarësisht se procesi i gjykimit për Klodian Trocin është mbyllur në shkallë të parë, hetimet për të janë duke vijuar për akuzën e “Pastrimit të parave”, pasi në banesën e Trocit policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 60 mijë euro që besohet se janë përfitim nga veprimtaria kriminale në hipotekën e Vlorës.
Skema e tjetërsimit të pronave ishte ngritur mes drejtuesve të Kadastrës dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave në Vlorë dhe e bazuar në dokumente zyrtare. Sipas hetimit, ish-kryeregjistruesi zotëronte AMTP të vulosura dhe firmosura, të cilat plotësoheshin në mënyrë abuzive me të dhëna të tokave shtet, kryesisht në bregdet dhe 65 mijë euro.
AMPT-ja regjistrohej në Zyrën e Menaxhimit të Tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë, nga Bardhyl Gjikaj, po ashtu i arrestuar dhe më pas prona regjistrohej në Kadastër. Me këtë skemë mësohet se janë kryer disa tjetërsime me vlerë deri në 5 milion euro.
Klodian Troci në gjykatë ka pretenduar se paratë që iu gjetën në shtëpi ishin të siguruara në mënyrë ligjore, ndërsa dokumentet i kishin mbetur në shtëpi nga koha kur punonte në Kadastër.
