Koka “shpërthen” ndaj drejtësisë: Akuza idiote, proces i manipuluar, nuk i kam futur dorën në xhep dikujt

Nga salla e gjyqit, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka hedhur kauza të forta ndaj prokurorisë duke thënë se çështja është bazuar në kallëzimet e LSI-së.

Ai tha se ka zbatuar ligjin në përpikshmëri dhe se ka bërë një punë shumë të mirë, duke shtuar akuza ndaj tij janë idiote.

Koka theksoi se ky proces është i manipuluar fund e krye pasi nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve.

Koka: Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Eshtë kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time! Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye,  besoj se e vërteta do të triumfoj.

Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojnë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt.