Avokatët mbrojnë për 5 orë Kokën: S’ka prova që e implikojnë, Ahmetaj ka lidhje me Zoton

Për rreth 5 orë ka zgjatur mbrojta e ish Ministrit Lefter Koka. Avokati Julian Mërtiri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm për 3 akuzat, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Mërtiri deklaroi se Koka thjesht ka zbatuar vendimin e këshillit të ministrave. Ka qenë komisioni që është ngritur me përfaqësues të shumë ministrive dhe pushtetit lokal që ka vendosur për dhënien e koncesionit, ndërsa Koka ka firmosur thjesht vendimin e qeverisë.

Sipas avokatit nuk ka asnjë prove që implikon klientin e tij në përfitime te paligjshme për favorizim në dhënien e koncesionit.

Në mbrojtjen me më shumë se 100 faqe Mërtiri kërkoi lirimin e Kokës për shkak të moshës, për arsye se ka probleme të shëndetit, është baba i 3 fëmijëve dhe mbahet prej shumë kohësh në paraburgim.

Gjendja e tij është rënduar më paraburgim dhe se burgu ku ndodhet nuk garanton kushtet për gjendjen e tij shëndetësore.

Ai gjithashtu kërkoi heqjen e sekuestros, sepse nuk ka shpërdorim detyre e për rrjedhoje nuk ka pastrim të produkteve të veprës penale.

Ai gjithashtu u shpreh se kantina Skënderbeu ka vlerë shumë herë më të lartë sesa shuma prej 2.6 milionë euro që SPAK thotë se ka përfituar Koka.

Prandaj ai kërkoi lirimin e pasurive, të cilat sipas tij janë përfituar përpara kohës se të bëhej ministër.

Avokati tjetër i Lefter Kokës u shpreh se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me Klodian Zoton, por tha se vetmi që ka pasur lidhje ka qenë ish Ministri Arben Ahmetaj.