Kukësi pa kryetar, Ping pong institucionesh/ Presidenca ende pret Qeverinë për shkarkimin e Safet Gjicit
Kryetari i bashkisë së Kukësit ka dërguar në Gjykatën e Apelit kërkesën për të dalë nga burgu. Sipas tij vendimi për ta mbajtur në qeli deri në përfundimin e hetimit për videon ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë, është i padrejtë
Por teksa kanë kaluar 2 javë që prej shkarkimit të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Presidenca është ende në pritje të një njoftimi nga Kryeministria për vakancën e kësaj bashkie. Vetëm pas këtij njoftimi i hapet rruga përcaktimit të datës se kur palët do ti drejtohen sërisht kutisë së zgjedhjeve për këtë bashki.
Mësohet se mes socialistëve është ende në diskutime emri që do të garojë për ta. Aktualisht Bashkia Kukës po drejtohet nga nën-kryetari Granit Gjana. Ndërkohë nga ana e opozitës përflitet se për zgjedhjet e reja në Kukës, do të kandidojë përsëri Besnik Dushaj.
Ndërkaq Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk humbi kohë përsa i përket Rrogozhinës. Pas përfundimit të ankimimeve, ku bashkia Kuçovë ishte e fundit në listë, tanimë mbetet që kryekomisioneri Celibashi të konfirmojë datën 23 korrik për rivotimin në atë bashki.
Në garë do të jenë përsëri socialisti Edison Memolla, i cili më 14 maj doli fitues me një diferencë të ngushtë prej vetëm 21 votash kundër kandidatit opozitar Shkëlqim Hoxhës.
Këtij të fundit iu dha një mundësi e dytë nga Kolegji Zgjedhor pas ankimimit të rezultatit të zgjedhjeve me argumentin e manipulimit në kutinë e burgut.
