Këshilli i Sigurimit voton për t'i dhënë fund misionit paqeruajtës të OKB-së në Mali

Një votim për t’i dhënë fund misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Mali pritet këtë javë në Këshillin e Sigurimit.

Një projekt-rezolutë që do të shqyrtohet në një seancë të enjten parashikon një periudhë kalimtare prej gjashtë muajsh deri në fund të këtij viti, kohë gjatë së cilës dislokimet nga forcat paqeruajtëse të OKB-së do të jenë të kufizuara.

Në mes të qershorit, qeveria ushtarake e vendit të Afrikës Perëndimore kërkoi tërheqjen e MINUSMA, një mision që numëron rreth 12 000 trupa nga shumë vende që u vendos për herë të parë në 2013. Misioni shihet si më i rrezikshmi i OKB-së.

Mandati i MINUSMA përfundon të premten. Misionet paqeruajtëse të OKB-së varen nga marrëveshja me qeverinë e vendit në fjalë. Rezoluta duhet të miratohet nga nëntë anëtarë të Këshillit të Sigurimit nga 15 që janë gjithsej.

Anëtarët e përhershëm të Këshillit janë, Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë të drejtën e vetos.

Gjermania ka marrë tashmë një vendim për t’i dhënë fund pjesëmarrjes së saj deri më 31 maj 2024 pas vështirësive në rritje me qeverinë e Malit, e cila ka refuzuar lejen për fluturime me dronët e zbulimit.

MINUSMA u krijua pasi milicitë islamike pushtuan veriun e vendit në vitin 2012. Milicitë kanë zgjeruar operacionet e tyre në qendër të vendit dhe në fqinjët e tij.

Pas dy grushteve të shtetit në 2020 dhe 2021, Mali po bashkëpunon me grupin rus të mercenarëve “Wagner”, i cili raportohet të ketë deri në 2 000 luftëtarë në Mali.