Lukashenko: Prigozhin ka mbërritur në Bjellorusi
Udhëheqësi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin tani ndodhet në Bjellorusi pas rebelimit të tij në Rusi në fundjavë.
“Prigozhin është në Bjellorusi”, tha lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Belta”.
Ka pasur spekulime të shumta për vendndodhjen e tij.
Lukashenko ndërmjetësoi për t’i dhënë fund përplasjes midis Moskës dhe liderit mercenar Prigozhin, i cili marshoi ushtrinë e tij private drejt kryeqytetit rus, në një mosmarrëveshje për furnizimet dhe mënyrën sesi shefat e Kremlinit po mbikëqyrnin luftën në Ukrainë.
Sipas Kremlinit, Prigozhin vendosi të gjente strehim në Bjellorusi si pjesë e një marrëveshjeje, ndërsa akuzat penale kundër tij janë hequr.
Lukashenko pranoi se të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe vetë ai, fillimisht e kishin nënvlerësuar rrezikun e përshkallëzimit të situatës.
