Orban: Për mua Putini nuk është një kriminel lufte

Për mua Putini nuk është një kriminel lufte, tha sot kryeministri hungarez, Viktor Orban në një intervistë për “Bild”.

“Tani jemi në luftë, dhe mund të flasim për krime lufte pas luftës”, tha Orban duke argumentuar qëndrimin e tij.

“Nëse duam një armëpushim dhe më pas të negociojmë, duhet t’i bëjmë ata që janë pjesë e konfliktit të vijnë në tryezën e bisedimeve”, shtoi kryeministri hungarez.

“T’u kërkosh që të vijnë në tavolinën e bisedimeve dhe t’u thuash ‘ejani në tryezë dhe unë do t’ju arrestoj’ nuk është një ide e mirë”, tha Orban duke iu referuar urdhrit të arrestit kundër Putinit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, në Hagë.

Kryeministri hungarez tha se nuk sheh asnjë mundësi që presidenti rus të vizitojë Hungarinë, duke mos u përgjigjur se çfarë do të bënte në atë rast.

“Për negociatat na duhen negociatorë. Kush tjetër duhet të negociojë përveç liderëve të vendeve të përfshira?”, theksoi Orban.