Arrestohen 43 persona të lidhur me krimin e organizuar të "Ndranghetas"

Policia në rajonin jugor të Kalabrisë ka arrestuar 43 persona gjatë një bastisjeje në shkallë të gjerë në strukturat lokale të krimit të organizuar.

“Të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me grupin famëkeq mafioz kalabrez ‘Ndrangheta’, sipas një deklarate të lëshuar sot nga karabinierët italianë.

Shumë prej të arrestuarve akuzohen për mashtrim, zhvatje parash, ryshfete dhe vrasje.

Pjesë e hetimit ishte edhe ndikimi i mundshëm i krimit të organizuar në politikën lokale.

Sipas raportimeve të medieve italiane, disa ish-politikanë nga Kalabria u vunë nën shënjestër të bastisjes me dyshimin se mund të kenë organizuar zgjedhje në bashkëpunim me mafian. Tashmë këta persona janë nën hetim.

Të dyshuarit kanë qenë nën vëzhgimin e hetuesve prej vitit 2018.

Që atëherë, autoritetet u përqendruan në gjurmimin e pasurive të të arrestuarve, si dhe në lidhjet e tyre politike dhe ekonomike.

Fokusi thuhet se ishte te familja e shquar Megna, që thuhet se ishte e përfshirë në ‘Ndrangheta.

Sipas zyrës së prokurorit në Catanzaro, familja ishte gjithashtu e përfshirë në aktivitete të dyshuara kriminale në Gjermani dhe Austri.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se të dyshuarit kishin kryer transaksione bankare dhe financiare mashtruese me mbështetjen e hakerëve gjermanë.

“Ndrangheta” dominon tregtinë ndërkombëtare të drogës, ndërsa përfiton gjithashtu nga tregtia e armëve, pastrimi i parave dhe korrupsioni.

Ajo i ka rrënjët në Kalabri, e vendosur në skajin jugperëndimor të Italisë.