Miratimi i ligjit për arbitrazhin, Çupi: Po bëni një ligj për tu larguar nga marrëveshjet ndërkombëtare
Deputetët e mazhorancës kanë dhënë garanci se miratimi i ligjit për arbitrazhin në Shqipëri nuk do të prekë atë ndërkombëtar.
Në diskutimin në komisionin e ligjeve, opozita ngriti dyshimin se po tentohet largimi nga marrëveshja për trajtimin e konflikteve mes investitorëve të huaj dhe qeverisë.
Dhurata Çupi: Rama thotë që do heqim dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare të arbitrazhit, ju për të qënë servilë të denjë të tij bëtë këtë ligj që i shkon qejfit e deklaratave të tij. Ju po bëni një ligj për tu larguar nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo do të jetë e rëndë.
Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka e cilësoi këtë si një diskutim politik.
"Nuk japim përgjigje politike, bëje në seancë këtë diskutim," tha ajo.
Çupi: Pse i bëni bisht bisedës
Ndërsa mazhoranca siguroi se ligji ka kohë që diskutohet dhe nuk vjen pas deklaratës së kryeministrit.
"Ligji ska lidhje me deklaraten e Ramës," tha Koçi.
"Jemi pjesë e konventave ndërkombëtare, pranojmë patjetër vendimet e tyre," tha Karameta.
Sipas këtij projekti në rast se dy kompani kanë përplasje juridike, apo një subjekt vendas me shtetin, palët mund të zgjedhin nga një gjyqtar të pavarur për të nisur procesin, duke mos kaluar përmes trajtimeve të çështjeve penale apo civile.