FOTO/ Studentët e “Mjekësisë” protestë dhe marshim në Tiranë: Kundër punësimit me detyrim

Studentët e Mjekësisë kanë mbajtur protestën e radhës paraditen e kësaj të enjteje,  për të kundërshtuar propozimin e qeverisë për punësimin e tyre pas përfundimit të studimeve.

Dhjetëra studentë janë mbledhur para Fakultetit të Mjekësisë, duke kërkuar që ministria e Shëndetësisë dhe rektorati të heqin dorë nga ideja.

Pas qëndresës pranë ambienteve të fakultetit, studentët e mjekësisë kanë nisur të marshojnë duke e transferuar protestën pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Përmes rrjeteve sociale ata bëjnë me dije se ashtu si 3 ditë më parë se në orën 10:00 do të mblidhen para rektoratit të UMT-së dhe më pas do të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Shkak i revoltës së tyre është bërë nisma e qeverisë shqiptare për t’i punësuar ata me detyrim.

Studentët e Mjekësisë jo vetëm kundërshtojnë këtë vendim, por ata shprehen edhe kundër penalizimeve financiare që vijnë me të.

Për ta ky akt është i padrejtë dhe se qeveria në vend që të krijojë ligje për të ndaluar mjekët të largohen jashtë vendit, duhet të përmirësojë kushtet që ata të qëndrojnë.

FOTO/ Studentët e “Mjekësisë” protestë dhe

Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria kanë propozuar së fundmi një plan për punësimin me detyrim për të sapo diplomuarit e mjekësisë për një periudhë prej 3 vitesh, ose pagesën e tarifës prej 5000 eurosh për vit akademik.

Propozimi ka ardhur si një tentativë e qeverisë dhe ministrisë për të frenuar largimin masiv të mjekëve nga vendi, por studentët e kanë kundërshtuar kategorikisht këtë plan.