Balla: Avokati i Popullit nuk mund të jetë avokati i PD-së
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, “Avokati i Popullit nuk mund të jetë Avokati i Partisë Demokratike. Nuk mund të jetë një figurë e spikatur e Partisë Demokratike, brenda viteve të fundit. Dhe në këtë kontekst një barazlargim politik i Avokatit të Popullit do të ishte ajo që Kushtetuta ka parashikuar për këtë pozicion”.
Në fjalën e tij në Kuvend ku u diskutua raporti vjetor i veprimtarisë së Avokatit të Popullit, Balla tha se, “Kushtetuta ka përcaktuar zgjedhjen me një shumicë të cilësuar prej 3/5-ave. Në rast se në vitin 2008 tek Presidenti i Republikës, u fut një mekanizëm zhbllokues, pra pas raundit të tretë, në raundin e 4-t dhe të 5-të, Presidenti i Republikës, si Kreu i Shtetit mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë, për Avokatin e Popullit, kjo gjë nuk është parashikuar”.
“Krahu i majtë i kësaj salle nuk i ka 84 vota për të zgjedhur Avokatin e Popullit, madje ne e kemi thënë qartë që ne duam që Avokatin e Popullit ta propozojë opozita. Dhe asnjë deputet i grupit parlamentar të PS-së, nuk do të përfshihet në mbështetjen me firma të një kandidati, sikurse e përcakton ligji dhe rregullorja”, u shpreh Balla.
Balla theksoi se, “pasi Komisioni i Çështjeve Ligjore ka përmbyllur procesin e verifikimit të përputhshmërisë me ligjin të kandidatëve që kanë shfaqur interesin, tashmë kemi përpara nesh 15 kandidatë, të cilët sipas Komisionit të Ligjeve, plotësojnë kriteret ligjore. Mendoj që brenda asaj liste kemi mundësitë të gjejmë njërin prej tyre që do të jetë Avokati i Popullit të Shqipërisë për mandatin që flasim”.
Dhe në këtë frymë, shtoi Balla, “për 4 seancat e Kuvendit që kanë mbetur, mendoj që i kemi të gjitha mundësitë të zgjedhim Avokatin e Popullit”.
Balla i propozoi kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, si grupi parlamentar më i madh i opozitës të ulen gjatë javës së ardhshme, bashkë me drejtuesit e Komisionit të Ligjeve, në mënyrë që të bëjnë një verifikim të kandidaturave dhe të shkohet drejt një grupi prej 3-4 kandidaturash që mund të jenë kandidaturat që marrin më shumë konsensus.
“Pastaj secili prej nesh në grupet parlamentare të kërkojmë mbështetjen, për të shkuar tek kandidatura që mund të jetë e duhura. Mendoj që ky është një model që duhet konsoliduar”, tha Balla.
“Duhet të respektojmë një traditë parlamentare 25 vjeçare, që nga Kushtetuta e re e vendit, në mënyrë që be të shkojmë drejt një kandidature që e theksoj, dhe nguliteni mirë në mendje, ju mund të keni të drejtën për të propozuar, por as tradita parlamentare, as Kushtetuta, nuk ua ka thënë në frymë dhe në germë që ju keni të drejtën të emëroni Avokatin e Popullit”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.



