Katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në operacionin izraelit në Bregun Perëndimor
Të paktën katër palestinezë u vranë në një operacion ushtarak izraelit në shkallë të gjerë në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor të Xheninit, njoftuan sot autoritetet shëndetësore palestineze.
“Gjithashtu, disa dhjetëra persona u plagosën gjatë përleshjeve me armë, disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike”, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Fillimisht ishte e paqartë nëse të plagosurit ishin luftëtarë palestinezë të armatosur. Sipas ushtrisë izraelite, gjatë arrestimit të dy të dyshuarve ka ndodhur një shkëmbim zjarri.
“Një numër i madh mjetesh shpërthyese u hodhën mbi ushtarët”, tha ushtria. “Forcat u përgjigjën me zjarr të drejtpërdrejtë. Goditjet u identifikuan”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një deklaratë.
Tensionet janë rritur mes izraelitëve dhe palestinezëve. Xhenini, në Bregun Perëndimor verior, është shfaqur si një bastion i fraksioneve militante palestineze.
Qyteti ka patur konfrontime të shpeshta vdekjeprurëse midis forcave izraelite dhe militantëve.
Që nga fillimi i vitit, 125 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite, konfrontime ose pas sulmeve që ata kanë nxitur.
Në të njëjtën periudhë, 18 izraelitë, një ukrainas dhe një italian u vranë në sulme. Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, mes territoreve të tjera, gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.
Palestinezët pretendojnë territoret për shtetin e tyre, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
