Tinguj holandez në Tiranë/ Mbyllet java kulturore holandeze, artistët performojnë në piano dhe violinë
Në mbyllje të javës së kulturës holandeze në Tiranë u bënë bashkë artistë shqiptarë dhe holandez për të performuar muzikë të të dy vendeve. Qëllimi i javës kulturore sipas ambasadës është ndërthurja e dy kulturave.
Adelina Hasani u largua 32 vite më parë nga Shqipëria për të ndërtuar jetën e saj në Holandë.
Ajo u rikthye për të diasantën herë në atdheun e vet, kësa rradhe për të performuar në mbyllje të Javës Kulturore Holandeze .
Emocionet për të janë të mëdha.
"Është shumë emocionuese për mua të vij në Shqipëri të luaj këtu, të bëj një koncert në atdheun tim, ku unë jam lindur dhe kam dhënë hapat e para të jetës sime si violiniste," tha ajo.
Bashkë me të për herë të parë në Shqipëri erdhi për të performuar edhe pianisti holandez Nicolas Van Paucke.
"Jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri, duke luajtur me piano kam vizituar shumë vende të botës. Tani jam këtu dhe jam shumë i lumtur që po shpërndaj muzikën time. Është pjesë e kulturës holandeze," tha ai.
Përfaqësues të ambasadës holandeze në Tiranë thanë se qëllimi i kësaj jave ka qenë ndërthurja dhe promovimi i dy kulturave tona.
"Kemi dashur të sjellim për publikun shqiptar artistë shqiptarë që kanë vite që janë të afirmuar në Holandë dhe jo vetëm. Kemi udhëtuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë me aktivitete tona duke ndarë eksperiencat dhe format e ndërveprimit të Holandës në Shqipëri dhe po ashtu duke marrë inputin e publikut shqiptar," tha ajo.
Dhjetëra qytetarë e përfaqësues të trupës diplomatike ndoqën koncertin me pjesë tradicionale shqiptare dhe holandeze të dielën.



