Parlamenti i Kosovës miraton ligjin për Kinematografinë

Parlamenti i Prishtinës ka bërë reale një kthesë rrënjësore në reformën ligjore, me miratimin e ligjit për Kinematografinë, duke i çuar produksionet filmike në nivele më të larta e me siguri edhe më pranë suksesit ndërkombëtar.

Duke e shpallur kinematografinë fushë të interesit të veçantë publik, po krijohen kushte ligjore më të favorshme për kineastët.

Me ligjin e ri të sapo aprovuar, niveli i mbështetjes publike për nivelin e filmave ngritet në 80%, ndërsa për filmbërësit deri në 100%.

Gjithashtu krijohet skema e rabatit për tërheqje të investimeve të huaja në Kosovë, që parashikon rimbursimin e 30% të investimit për produksionet e huaja që prodhojnë filma në territorin e Kosovës.

Këto janë vetëm disa nga risitë në ligjin e ri, që Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, ka bërë publike në faqen e tyre online.

Në të njëjtën kohë, në lexim të parë ka kaluar Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta i cili ofron rregulla të qarta dhe gjithëpërfshirëse për të mbrojtur pronësinë intelektuale të autorëve kosovarë.

“Letërsia, shkenca dhe arti janë zemra e çdo shoqërie prandaj është detyra jonë të mbrojmë dhe nderojmë veprën e krijuesve tanë të talentuar.

Mirënjohje të gjithë profesionistëve që kanë punuar pa u lodhur për hartimin e ligjeve dhe faleminderit deputetëve që votuan pro tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.