Nuk ndalen serbët/ Sulmohet një veturë e RTK-së në Zveçan, gazetarja: Na gjuajtën me gurë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ka njoftuar se sonte është sulmuar një veturë e RTK-së në Zveçan.
AGK njofton se gjatë raportimit të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve nga kjo komunë, gazetarja Arbresha Berisha, ka njoftuar se disa persona kanë gjuajtur me tulla në drejtim të veturës, si dhe i kanë shpërthyer gomat. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto sulme janë të papranueshme dhe shumë shqetësuese, duke qenë se në një interval prej dy javësh sulmet kanë shënuar ngritje të paprecedentë deri tani.
AGK-ja, i fton organet e rendit, vendore dhe ndërkombëtare, që të garantojnë siguri për ekipet e mediave, të cilat po raportojnë mbi tensionet në komunat veriore të vendit.
Gazetarja e RTK-së, Arbëresha Berisha tha se këta persona që kanë shkatërruar veturën e RTK-së nuk janë identifikuar.
“Fatmirësisht në ato momente asnjë nga ekipi nuk ka qenë në veturë në ato momente. Një grup protestuesish po vëzhgonin lëvizjet e ekipit tonë,” tha ajo.
