Tensionet në Veri dhe rrëmbimi i tre policëve, mblidhet sot Këshilli i Sigurisë së Kosovës
Mblidhet sot Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Kjo mbledhje, vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Mbledhjet e Këshillit zhvillohen nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, për çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Detyrë e këtij Këshilli është rekomandimi i politikave dhe i strategjive për sigurinë. Mbledhja parashikohej të fillonte që prej orës 07:00.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës, në vijë kufitare.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë një konferencë për media në kuadër të zhvillimeve më të fundit me tensionet në veri të vendit ku 3 policë u rrëmbyen nga forcat serbe.
Sipas Zyrës për Media, konferenca do të mbahet në orën 08:30 dhe bashkë me kryeministrin do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kjo konferencë do të mbahet pasi Këshilli për Siguri Kombëtare të Kosovës do të përfundojë mbledhjen e nisur në orën 07:00.





