Zbardhen emrat, ja argjendaria ku shiteshin bizhutë e vjedhura në Francë. Çantat me flori vinin me autobuzët e “Erdisa Tours”

Një operacion i përbashkët i kryer mes skuadrave policore Francese dhe Shqiptare, ka çuar në pranga rreth 18 persona, të cilët përgjatë disa viteve kryenin kontrabandimin e mallrave me vlerë, duke i futur në territorin Shqiptar.

Grupi kriminal transportonte nga Franca në Shqipëri, bizhuteri të vjedhura dhe këtë gjë e ka bërë në dhjetëra raste të dokumentuara.

Ora, byzylykë floriri, varëse dhe bizhuteri të ndryshme sillen në Shqipëri përmes çantave dhe më pas shiteshin në argjendari të ndryshme në Tiranës.

Mes personave të arrestuar, është Sokol Idrizaj, ish-shoferi i Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Të ndaluar për kontrabandim të mallrave të vjedhur dhe pastrim parash, janë gruaja dhe vajza e Sokol Idrizaj.

“Ora News” zbulon se deri në këtë fazë të operacionit në pranga ka rënë Agustin Mesuli nga qyteti i Lezhës, i cili është administrator i agjencisë së udhëtimit “Erdisa Tours”.

Përmes autobuzave të tij, transportoheshin bizhutë e vjedhura në Shqipëri. Të arrestuar janë Altin Doda, Florjan Bakri, Tomor Baruti, dhe Vangjush Kashari.

Këta persona por dhe zyrtarë të Policisë Kufitare në Durrës, Lezhë dhe Hani i Hotit janë arrestuar, pasi dyshohet se janë anëtarë të një grupi kriminal që dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë.

Në muajin nëntor 2022, “Ora News” paralajmëroi prezencën e kësaj dosje në SPAK dhe implikimin në kontrabandimin e mallrave të vjedhura të shoferit të Ardi Veliut.

Hetimi ka marrë spunto nga disa informacione të sjella nga autoritet e Drejtësisë Francese, ka vendosur në verifikim shoferin personal të Ardi Veliut, i cili më parë ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK pak kohë më parë ka ushtruar një kontroll në banesën e Sokol Idrizaj, me shpresën e gjetjes së sendeve me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte totalisht.

Por nga ky kontroll mësohet se oficerët e BKH-së nuk kanë mundur të gjejnë sende kompromentuese.

Njëherësh SPAK, ka ushtruar kontrolle dhe në banesat e disa personave të tjerë tjerë, që janë pjesë e verifikimeve dyshuese si të përfshirë në trafikimin e sendeve me vlerë.

Nga Franca, këto çanta mësohet se janë dërguar nga vajza e Idrizaj që jeton dhe studion në Francë. Tashmë SPAK së bashku me homologët e tij në Francë, janë duke kryer verifikime për të mësuar dhe mbledhur fakte rreth këtij trafiku të sendeve me vlerë, ku dyshohet se janë implikuar dhe zyrtarë të tjerë të Drejtorisë së Kufirit.