Tirana shpalli tre ekipe kampion te moshat, Ahmataj: Kam refuzuar shumë oferta, më afroi Refik Halili këtu
Julian Ahmataj po jep kontribut me shumë vlera te Tirana si kryetrajneri i akademisë bardheblu dhe njeriu që drejton U-19. Rezultatet ishin fantastike pasi në këtë sezon kryeqytetasit u shpallën kampion me tre grupmosha, U-13, U-15 dhe U-19.
Këta të fundit do të luajnë në Champions League dhe për këtë arsye kjo arritje merr vlera më të mëdha. Në një intervistë me gazetarin Altin Sulçe në “Ora News”, Ahmataj tregon projektin e propozuar nga Refik Halili dhe punën e bërë nga Grenti, për ta dërguar përpara akademinë e Tiranës.
“Është hera e parë që kanë dalë tre skuadra kampion. E gjithë kjo meritë i shkon lojtarëve që është pasuria e klubit, e akademisë. Padyshim që pjesa drejtuese dhe trajnerët kanë bërë maksimumin e tyre ku ne jemi kurorëzuar me tre tituj kampion në moshat. Sidomos Grent Halili është njeriu që e mori përsipër këtë iniciavtiv, për ta drejtuar këtë akademi. Na ka vendosur kushte pune për të punuar me ndershmëri, për të marrë më të mirët. Ne kemi vendosur përgatitës atletik që në moshën 16-vjeçare sepse mendojmë se pjekuria sportive kalon në këtë moshë, nga 15-19 vjec.
Ndërkohë në vitet e mëparshme, kjo pjekuri sportive kalohej nga mosha 19-23 vjec. Për këtë arsye ka pasur dificite nga lojtarët tanë, tani çdo lojtari i ri e përballon fizikisht nivelin e Superiores. Po e shijoj këtë detyrë, ishte presidenti Refik Halili dhe djali i tij Grenti që më afruan dhe më dhanë këtë projekt të mirë për ta dërguar përpara. Kam pasur shumë oferta për të lëvizur, por i kam refuzuar pasi kjo punë po më shijon. Kjo punë më bën të ndihem krenar pasi në të ardhmen këta lojtarë do të thonë fjalën e tyre në futbollin profesionist”, tha Ahmataj.
E teksa gazetari Altin Sulçe e pyetur për rastet kur fëmijët që vijnë nga familjet e varfra nuk e kanë mundësinë ekonomike për të qenë pjesë e akademisë së Tiranës, por e dëshirojnë shumë atë, Ahmataj tregon se zgjidhja ekziston: “Gjithmonë ka një bursë për lojtarët që nuk kanë mundësi ekonomike dhe për familjarët në nevojë. Kjo bursë verifikohet shumë mirë nga ana e drejtuesve, është pjesë e punës tonë. Kemi shumë lojtarë që familjet e tyre nuk e kanë mundësi të përballojnë pagesën, por klubi ia merr përsipër”, përfundoi Ahmataj.
