Triumfi i kuq, trajneri Colella dhe drejtori Rama në “qiellin e shtatë”

Suksesi i Partizanit në kampionat, më pas festa dhe emocionet. Drejtuesit dhe protagonistët e kuq flasin për këtë sukses.

Giovanni Colella:

“Tani nuk kam një ide të saktë se si ndihem. Por sigurisht që shumë i lumtur. Ishte një kampionat i mirë. Deri në fund kanë qenë të gjithë në lojë. Kampionatet që janë të ekuilibruar, gjithmonë janë të mirë. Skuadra ka pasur mjaft momente të mira dhe jo të mira. Trajneri duhet t’i menaxhojë këto situata. Shumë nuk besonin që kjo skuadër mund ta fitonte kampionatin, duke qenë se në shumë vite nuk e ka fituar shpesh kampionatin. Me ato lojëra fjalësh përpiqesha t’i mbroja lojtarët. Më ka ndihmuar shumë prania e personave si Marini dhe të tjerë. Të gjithë më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Ka qenë shumë e lehtë për mua për t’u ambientuar. Kjo eksperiencë në Shqipëri më ka ndihmuar shumë. Të gjithë lojtarët i kemi nën kontratë. Jemi ndër të paktat skuadra që do të vazhdojë me të njëjtin kontigjent sezonin e ardhshëm. Ndoshta do të ketë lëvizje, por të vogla. Kjo dëshmon punën e mirë të bërë nga klubi”.


Bruno Telushi:

“Janë emocione të mëdha, ne ia dolëm në fund. Unë jam një njeri që e dua drejtësinë, flas gjithmonë me zemër dhe Zoti të ndihmon pastaj. Kur erdha këtu kisha shumë njerëz kundër, kjo më bën që ta shijoj edhe më tepër trofeun. Ulje-ngritjet gjatë sezonit janë ato që të bën ta shijosh më shumë të gjithën këtë”.


Olsi Rama:

“Jam shumë i gëzuar kur shoh lojtarët që shpërblehen për punën e tyre. Ky kampionat ishte shumë rivalizues dhe i bukur. Duhet të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje, jam shumë falënderues për tifozët dhe presidentin. Planet e Partizanit? Për momentin, duhet vetëm të festojmë titullin dhe të pushojmë pak. Të fitosh titullin është bukur, për ta mbrojtur është më e vështirë. E kisha pak me merak se kush ndërtonte stadiumin në vitin e parë nuk ishte mirë, por ne e thyem tabunë, e ndërtuam stadiumin dhe direkt sollëm titullin”.

 

Elton Marini:

“Jam shumë i emocionuar. Kemi punuar shumë, dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët dhe presidentin. Kemi qenë gjithmonë të bashkuar. Janë thënë shumë gjëra për këtë ekip, ne jemi ekipi me moshën më të re. Le të thonë çfarë të duan, ne e kemi merituar. Kontratat e lojtarëve tanë skadojnë në 2025, 2026, ky është vetëm fillimi i një cikli të ri”.