DASH dënon takimin Dodik-Putin: Nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska
Lëvizje që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska, ky ka qenë reagimi i Departamentit amerikan të shtetit, pas takimit të presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka regauar pas takimit të presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas DASH “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që po kryen agresion kundër Ukrainës”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se vendimi i Dodikut për t'u takuar me Putinin, si dhe vendimi i mëparshëm i TIJ për të dekoruar presidentin rus, janë lëvizje që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”.
Dodik tha në Moskë të martën se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, antiperëndimore dhe antiamerikane.
Pas takimit me Putinin, Dodik i quajti "armiqësore" vendet që vendosin sanksione ndaj Rusisë. Së bashku me akuzat dhe retorikën e ashpër ndaj Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e quajti ambasadorin Michael Murphy "antiserb".
Dodik pohoi se qëllimi i ambasadorit amerikan është "të shkatërrojë Republikën Sërpska deri në fund të mandatit të tij", ndërsa ambasadori Murphy ka thënë qartë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë dashur ta shfuqizojnë Republikën Sërpska, por korrupsionin.
Murphy paralajmëroi më parë se Dodiku, me paturpësi, po sulmon gjithnjë e më shumë stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës me retorikë nacionaliste.
