Rama: Integrim i plotë i Dibrës për ta bërë jastëkun e gjelbër të kryeqytetit

Kryeministri Edi Rama në takimin me banorë të Bulqizës dhe Peshkopisë renditi disa nga projektet që po zhvillohen e do të nisin në qarkun e Dibrës për ta bërë atë jastëkun e gjelbër të kryeqytetit.

Rama tha se vota në Dibër lexohet si një barrë e ngarkuar në kurriz, që PS ka detyrën ta marrë e çojë përpara për të bërë shumë më tepër se deri tani.

“Këtu në Dibër është hapur një perspektivë e re, por quhet e hapur, kur të gjitha rrugët të përfundojnë. Kemi një tunel për të hapur, rrugën për të çuar në Lurë, sepse duam të fusim edhe Lurën në gjithë këtë hapësirë që ka nisur të zhvillohet ndryshe. Kemi edhe rrugën që lidh Peshkopinë me Maqellarën”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli dhe për të tjera projekte që do të shtyjnë zhvillimin ekonomik e social, me qëllim integrimin e plotë të Tiranës me Dibrën.

“Projektet e tjera në Dibër lidhen me zhvillimin ekonomik e social, duke shtyrë atë që është thelbi i këtij vizioni, integrimi i plotë i Tiranës me Dibrën, për ta bërë Dibrën jastëkun e gjelbër të kryeqytetit, duke krijuar mundësinë që gjithmonë e më shumë investimet të bëhen këtu”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, gjithmonë e më shumë njerëz do të duan të kenë shtëpinë e dytë në Dibër, duke jetuar në Tiranë.