U kap me listë emrash dhe çantën plot me lek, lirohet i arrestuari me akuzën e shit-blerjeve të votave në Krujë
Lirohet nga qelia Bedri Murati i arrestuar disa ditë më parë me dyshimet se po kryente veprime për të orientuar votën e qytetarëve në Krujë.
Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorisë, ka caktuar masën detyrim paraqitje ndaj Bedri Muratit, i cili u arrestua nga policia e Krujës, për veprën penale "korrupsion aktiv në zgjedhje".
Gjykata e Tiranës e nxori nga burgu duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Policia njoftoi sekuestrimin 69 000 lekëve të rinj, 50 euro dhe 2 lista me emra qytetarësh.
Sa i përket parave që iu sekuestruan Muratit, burime bëjnë me dije se ai ka pretenduar, se "një shumë të tillë, nuk është gjë e pazakonte që çdo qytetar t’i ketë në xhep për përdorim vetjak dhe familjar".
48-vjeçari i është përgjigjur edhe Oficerit të Policisë Gjyqësore lidhur me listat zgjedhore që iu gjetën në momentin e arrestimit.
Teksa autoritetet dyshojnë se listat emërore përfshinin emra të qytetarëve që do u jepeshin para në këmbim të votës, vetë Murati ka dhënë një version tjetër.
Gjithashtu, edhe përfaqësues të subjektit politik për të cilin ishte angazhuar Murati, kanë dhënë pretendimet e tyre lidhur me listat emërore që u gjetën në automjet.
Masa ishte përcaktuar të zhvillohej një ditë më parë por u shty për ditën e sotme.



