Baza materiale gati për zgjedhje, nis shpërndarja në të gjithë vendin
Nga Vermoshi në Konispol ka nisur mëngjesin e kësaj të shtune shpërndarja e bazës material për zgjedhjet e së dielës. 5211 qendra votimi po pajisen me bazën material të nëvojshme, në mënyrë që 3.6 milionë qytetarë që janë thirrur për të votuar të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën themelore të votimit.
3 milionë e 653 qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë thirrur për të votuar të dielën e 14 majit, për të zgjedhur 61 kryetarët e Bashkive dhe Këshillat Bashkiakë.
Kur na ndajnë pak orë para hapjes së 5211 qendrave të votimit në të gjithë territorin e vendit, baza me materialet zgjedhore ka nisur duke u shpërndarë tanimë nga KZAZ-të.
Në Shkodër kryetarët e KZAZ-ve kanë thënë se janë bërë njoftimet drejtuar komisionerëve për të tërhequr bazën material, ndërsa ajo ka nisur prej orëve të mëngjesit
"Kemi bërë njoftimet e nevojshme për komisionerë që të vijnë të tërheqin bazën materiale. Kemi bërë një grafik që e kemi afishuar jashtë dhe ia kemi dërguar partive politike. Deri tani kemi ecur mirë, ka kaluar pjesa e Shalës, po vjen Pulti, Shoshi dhe pjesa tjetër më pas," tha ai.
Procesi ka nisur edhe në Fier, ku po shpërndahen fletët e votimit, kutitë, procesverbalet, pajisjet e identifikimit dhe kamerat.
"Pasi kemi ndarë dhe oraret për shpërndarjen e materialeve të qendrave të votimit, tani do të fillojmë me shpërndarjen në Cakran si ish-komuna më e largët, pastaj me njësinë Levan etj. Kemi bërë gati kutitë për qendrat e votimit, ështu që do të fillojë procesi për shpërndarjen e materialeve," tha ai.
Edhe në Pogradec prej orës 10;00 të mëngjesit të sotëm ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në 106 Qendrat e Votimit. Fillimisht puna ka nisur me QV në fshatra dhe pasdite do të punohet me qytetin, pritet që në orën 19.00 të ketë përfuduar i gjithë procesi. Sipas kryetarit të KZAZ procesi po ecën pa probleme.
Ai ka shtuar se ka mungesë me përfaqësues të komisionerëve nga ana e BF në disa Qv në qytet por kjo nuk e pengon nesër nisjen e procesit të votimit në QV.
I gjithë procesi po monitorohet nga Policia e Shtetit, ndërsa deri në këto moment nuk janë raportur probleme me shpërndatjen e materialeve.
