Nën ethet e maturës, gjimnazistët: Provimi me kamera e në salla të mëdha na rëndon psikologjikisht

Më pak se tre javë i ndajnë gjimnazistët nga provimi i parë i Maturës Shtetërore. Thonë se po përgatiten e shprehin merakun se zhvillimi i testimeve në salla të mëdha e me kamera do t`i rëndojë psikologjikisht.

Provimet e maturës Sonia po i pret me ankth e stres.

"Jam mjaft e stresuar sepse ky presioni para se të bëhen provimet është i paevitueshëm,' tha ajo.

Përgatitjet i ka nisur muaj më parë por këto ditë të fundit ka shtuar orët e studimit.

"3-4 orë, mundohem ta kem një balancë mes orëve që studioj dhe i përdor për të pushuar dhe qetësuar," tha ajo.

Elta ndihet më e qetë dhe e sigurtë.

"Nuk e kam marrë shumë me stres, mendoj se do të dalim mirë," tha ajo.

Jonida dhe Samira thonë se përveç përgatitjeve në shtëpi orë të gjata konsultimesh zhvillojnë edhe në gjimnaz.

"Përgatitjen këto ditët e fundit po e përqëdnroj tek biologjia dhe matematika," tha ajo.

Të katërta janë nxënëse të shkëlqyera të gjimnazit Isa Boletini në Tiranë.

Pritshmëritë për provimet i kanë të larta por thonë se zhvillimi i tyre nën survejimin e kamerave dhe në salla të mëdha do i rëndojë psikologjikisht.

"Stresi i provimeve sikur po shtohet, ndikon pak tek psikologjia e nxënësit," tha ajo.

Elta e Jonida synojnë të veshin përparsen e bardhë. Ëndërra e tyre është mjekësia.

"Është e vështirë por me punë arrihet, s'besoj se do të ketë një vështirësi të lartë.

Më shumë jemi konsultuar me prindërit. Dëshira ime dhe e famijes sime është që t'i futem mjekësisë," thanë ato.

Stomatologjia është synim i Samirës.

"Është një degë e mjekësisë por njëkohësisht është dhe pak biznes," tha ajo.

Ndërsa Sonia mendon se programet e informatikës do e integrojnë më shpejtë në tregun e punës.

"Është një punë që ka një të ardhme të siguruar,' tha ajo.

I dinë mirë vështirësitë që ka Shqipëria por thonë se as largimi nuk është zgjidhje.

Janë të vendosura për të kontribuar në vendin e tyre.

"Kudo që të shkosh do të kesh vështirësi, por pse jo kontributin që mund të japësh, ta japësh për vendin tënd dhe jo për një vend tjetër.

Jemi qytetarë të një vendi dhe në fund të fundit jemi e ardhmja. Nëse s'do e ndryshojmë ne, kush do e bëj," tha ajo

Për të arritur rezultate të larta krah kanë drejtuesit dhe mësuesit e gjimnazit Isa Boletini.

"Që të kemi rezultate sa më të mira në Maturë, bëjmë një parapërgatitje, kryesisht me ngritjen e komisionit ndërlëndor duke ndërtuar jashtë orarit mësimor, konsultimet.

Pjesëmarrja është shumë e mirë, oraret zbatohen, punohen modele të testeve," thanë ata.

Provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen përgjatë muajit qershor. Në datën 1 gjimnazistët do të testojnë njohuritë e tyre në gjuhën e huaj, më pas në gjuhë letërsi, matematikë ndërsa lënda me zgjedhje do të jetë provimi i fundit.