Rama në Lushnjë: Vota për të damkosurit botërisht nga aleatët tanë ndërkombëtarë është turp

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, zgjedhja në 14 maj është shumë e qartë dhe qytetarët duhet të votojnë kandidatin që punon për ta, dhe jo ata që janë të padëshirueshëm nga ShBA, Britania e Madhe dhe që BE-ja u ka përplasur derën në fytyrë.

“Në Lushnjë do të marrin një leksion të paharrueshëm se si të mos guxojnë herë tjetër të vijnë këtu për të kërkuar votën e popullit me faqen e zezë të SaLike floririt. Besoj se edhe këtu në Lushnjë, si kudo tjetër puna jonë flet më shumë se sa ka folur deri sot. Dhe me siguri ajo që të gjithë qytetarët e Lushnjës presin e duan nuk është që t’u themi sa shumë kemi bërë, por që të bëjmë edhe shumë më tepër në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe popullin e Lushnjës”, u shpreh Rama.

Kryeministri nga Lushnja i cilësoi kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë“, maska të Berishës dhe Metës.

“Më 14 maj vërtet do të votohet për të zgjedhur njeriun që do të jetë në krye të punëve për tu shërbyer qytetarëve, komuniteteve, por nga ana tjetër do të votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që ne e mbajmë në zemër dhe që të gjithë ju e keni në dorë. Më 4 maj është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe atyre në anën tjetër, që është një maskë e faqes së zezë të Shqipërisë, të damkosur botërisht nga ShBA, Britania e Madhe, aleatët dhe miqtë tanë dhe mé derën të përplasur para syve nga e gjithë BE”, tha Rama.

Ai përcolli edhe një mesazh për të gjithë demokratët.

“Ky është një mesazh për të gjithë demokratët, për të gjithë ata që kanë të drejtat e tyre që të mos votojnë PS, që të duan një alternativë tjetër, një drejtim tjetër, një rrugë tjetër. Ama, pa asnjë diskutim ajo që sot atyre iu ofrohet si një alternativë, nuk është një alternativë, por një turp i madh për Shqipërinë, e cila sot gëzon respektin dhe besimin më të madh që ka gëzuar ndonjëherë në sytë e botës dhe mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë nga aleatët dhe partnerët e vet strategjikë”, deklaroi Kryeministri Rama.

Rama theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në arenën ndërkombëtare dhe se vota për koalicionin “Bashkë Fitojmë” është turp.