Rama : Vlerësoni fuqinë e ndryshimit të PS-së kudo ku hidhni sytë në Dimal

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me banorë të bashkisë së Dimalit, ku theksoi se “në bashkinë tuaj ju keni mundësi që ta vlerësoni fuqinë e ndryshimit të PS-së kudo ku hidhni sytë”.

“Më kujtohet kur kam ardhur këtu dikur ajo që shikon sot është dita me natën me atë që ishte. Më kujtohet kur kam ardhur këtu dhe kam gjetur qindra familje të përmbytura me gjithë baltën që kishte hyrë nëpër shtëpi, sot në vend që të jetë burim përmbytje, ajo rrjedhë ujë që kalon është diçka krejt tjetër”, tha Rama në takimin në Dimal, ku kandidate e PS-së për zgjedhjet e 14 majit është Juliana Memaj.

Kryeministri Rama u shpreh se “lumi është kthyer nga një rrezik sa herë që binte pak shi në një tjetër arsye për të besuar tek e ardhmja e këtij vendi me parqet që i kanë lënë pas përmbytjet dhe shërbejnë edhe si diga mbrojtëse. Por nuk është vetëm kjo është gjithë transformimi urban. Kjo lagje deri dje ishte pa asnjë lloj shenje përkujdesjeje. Sot është një lagje dinjitoze për njerëzit e këtij vendi, për familjet, fëmijët e të moshuarit, pa folur për pjesën qendrore të qytezës tuaj që është një nga shembujt kuptimplotë të hapave të parë të rilindjes urbane”.

Rama vuri në dukje se Dimali fuqinë e vet më të madhe dhe bukurinë e ka tek prodhimi bujqësor tek ata që në tokat e kësaj bashkie prodhojnë e eksportojnë me sukses të madh dhe janë një shembull frymëzimi tek e ardhmja”.

“Dua t’u them që nëse ka një arsye kryesore ndër të tjera, për të cilat e kam mbështetur dhe e mbështes Julin, jo çfarë ka bërë në qendër, por atë çfarë ka bërë me një këmbëngulje të madhe për të mbështetur fermerët, prodhuesit, prodhimin, me punën gjigante për kanalet ujitëse, kulluese dhe me punën këmbëngulëse për të krijuar sinergji që në nga bashkimi i forcave, të gjithë të fitojnë më shumë”, tha Rama.