Teherani ekzekuton disidentin iraniano-suedez Habib Chaab

Irani ekzekutoi sot disidentin iranio-suedez Habib Chaab, i dënuar me vdekje për terrorizëm, pasi u akuzua si udhëheqës i një grupi separatist arab në perëndim të vendit.

Drejtësia e kishte konfirmuar dënimin e tij me vdekje më 12 mars, një vendim i dënuar nga Suedia.

“Dënimi me vdekje është një dënim çnjerëzor (…) dhe Suedia, si pjesa tjetër e BE-së, dënon zbatimin e tij në të gjitha rrethanat”, tha ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom.

“Dënimi me vdekje i Habib Chaab (…) në krye të grupit terrorist Harakat al-Nidal, u krye sot në mëngjes”, njoftoi sot agjencia e autoritetit gjyqësor ”Mizan Online”.

Ekzekutimet zakonisht kryhen në Iran duke u varur në agim.

Irani është vendi që ekzekuton më shumë njerëz pas Kinës, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat e llogarisin numrin e varjeve në 582 në vitin 2022.

Në moshën rreth 50 vjeç, Chaab, i njohur gjithashtu si Habib Asyud, paraqitet si udhëheqës i grupit Harakat al-Nidal, ose ASMLA (Lëvizja Arabe për Çlirimin e Ahvazit) nga autoritetet iraniane që e cilësojnë këtë lëvizje si “terroriste”.

Ai ishte zhdukur në tetor 2020 pasi kishte shkuar në Stamboll, përpara se të rishfaqej një muaj më vonë në burg në Iran.

Në dhjetor 2020, autoritetet turke njoftuan arrestimin e 11 personave të dyshuar se e kishin rrëmbyer në Stamboll përpara se ta çonin në Van, në kufirin iranian dhe t’ia dorëzonin autoriteteve në Teheran.

Televizioni iranian kishte transmetuar në nëntor 2020 një video të Habib Chaab, në të cilën ai akuzoi veten në veçanti për një sulm vdekjeprurës që synonte një paradë ushtarake në shtator 2018 në Ahvaz, kryeqyteti i provincës së Khuzestanit (jugperëndimi) dhe se punonte për shërbimet sekrete saudite.