Spaçi në arkiva/ 50 vjet nga revolta, të mbijetuarit: Nuk merrnim vesh ishte ditë apo natë nga torturat!
Autoriteti i Dosjeve ka publikuar në këtë 50 vjetor të revoltës së Spaçit dosjet e të burgosurve politikë që vuajtën dënimin në burgun famëkeq. Nga përjetimet e të mbijetuarve tek ato të familjarëve u kërkua gjetja e eshtrave të të zhdukurve.
50 vite më parë u ngritën në revoltë kundër regjimit.
Këto janë emrat dhe dosjet e të përndjekurve politikë të burgut të Spaçit.
30 vite pas nisjes së demokracisë eshtrat e tyre janë ende të pazbuluara.
"Çdo bashki duhet të ketë Task-Forcën e vet dhe financën për gjetjen e eshtrave. Ne lirinë e duam por nuk duam ata që u sakrifikuan për lirinë, kjo është keqardhja."
Kërkojnë që të mbahen premtimet që kanë dhënë për mbështetjen e të përndjekurve politikë.
"Duhet të lëvrohet një vendim për të përfshirë të drejtën e çdo të burgosuri të periudhës së regjimit komunist, veçanërisht politik, për tu paguar sigurimet për arsye se të gjithë kanë punuar."
Nuri Stepa tregon disa nga përjetimet gjatë vuajtjes së dënimit në burgun famëkeq.
"U dënuan katër veta, u pushkatuan dhe gati 70 veta u dënuam me dënime të rënda. U hakmorrën shumë keq ndaj nesh. Nuk merrnim vesh ishte ditë apo natë nga torturat, kur na hidhnin në biruca ishim pa ndjenja".
Po aq e vështirë ishte për familjarët.
"Për të na shpjeguar si ishte situata na thanë se ata kanë sharë xhaxhin Enver. Kur më pyesnin si e ka emrin babi mua më dukej sikur po më binte tavani në kokë."
Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, thekson rëndësinë e njohjes dhe zbardhjes së të shkuarës për të parandaluar përsëritjen e saj në të ardhmen.
