Mediu me kandidatët për këshillin bashkiak të Tiranës: Moment jetik për Shqipërinë
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu zhvilloi një takim me kandidatët për këshilltarë republikanë të bashkisë së Tiranës që mbi 90% janë të rinj.
Mediu theksoi se është momenti i tyre dhe është e domosdoshme që të luftojnë fort në çdo rrugicë, lagje apo fshat të Tiranës, të bisedojnë dhe dëgjojnë njerëzit dhe t’i kërkohet të votojnë Partinë Republikane.
Po ashtu, Mediu theksoi se ditën e hënë bashkë me të rinjtë do zhvillojnë një takim të rëndësishëm për familjen dhe besimin si baza të ideve republikane me autoritete politike të Kongresit Amerikan, Britanik dhe Gjerman.
“Ky është një moment jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mendoj që jemi në situatën më të vështirë të historisë sonë kombëtare.
Shpopullimi, varfëria, korrupsioni, krimi, dominojnë shoqërinë, duke krijuar një problem shumë të madh me bindjen se çfarë duhet bërë dhe çfarë po bëhet në Shqipëri.
Kështu që zgjedhjet e 14 majit nuk janë thjesht zgjedhje për kryetar bashkie, apo zgjedhje për këshilltarë bashkie.
Ky është një moment jashtëzakonisht i vështirë për faktin sepse ky pushtet përpiqet me çdo mënyrë të ushtrojë presion për të larguar njerëz nga puna, ushtron presion me varfërinë, me ndihmën ekonomike, me shkatërrimin e bizneseve, me shkatërrimin e pronës, dhe ajo që është më e papranueshmja, ata mendojnë se shqiptarët janë në shitje”- tha ai.






