Peleshi: Krenarë për kontributin e Forcave Ajrore në këto 72 vite

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përgëzoi sot Forcat Ajrore për kontributin e tyre, në kuadër të 72-vjetorit të kësaj Force.

“Mbrojtja e hapësirës sonë ajrore, reagimi ndaj situatave emergjente, në kohë të vështira dhe kritike, në fatkeqësi dhe nevojë, në ndihmë e në shpëtim jetësh, përgjatë 72 vitesh, e kanë bërë aviacionin tonë ushtarak dhe pilotët e tij, njerëzit më të dashur dhe të nderuar”, shkroi Peleshi, në postimin e tij në rrjetet sociale.

Peleshi theksoi se, kontributi i çdo ushtaraku të Forcës Ajrore është i pamatshëm dhe pjesë e pazëvendësueshme e historisë sonë kombëtare.

Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht më 24 prill 1951. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana.