Vrasja e biznesmenit, 5 muaj plane, një vajzë tregoi Edmond Haxhinë dhe grupin e ekzekutorëve
Një vajzë është dëshmitarja kryesore e vrasjes së politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulja në Shëngjin. Ajo ka treguar për motorin që u përdor në vrasje I cili është blerë në emër të saj, si dhe për vrasësin nga Portugalia që kishte mësuar të fliste shqip në zonën ku veproi, i cili ishte rekrutuar nga Edmond Haxhia. Planet për atentatin mësohet se kanë nisur 5 muaj më parë.
Planet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj kanë nisur që prej muajit Nëntor të vitit të kaluar kur hasmi I tij Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës I krimit u kthye në shqipëri nga Londra.
Vajza e cila ka treguar para policisë detaje të rëndësishme që zbuluan autorët e atentatit, ndërsa gjurmimi i saj nga ana e policisë, erdhi pas ndjekjes së mënyrës se si është marrë motori që u përdor nga ekzekutori i biznesmenit 51 vjeçar.
Në polici vajza që ka lidhje me autorët, ka treguar se motori është blerë në Tiranë, në zonën e 21 dhjetorit, me kontratë noteriale.
Mjeti më pas është përdorur në krim nga portugezi Ruben Saraiva i cili mendohet se është personi që ka shtënë me pistoletë ndaj viktimës brenda në lokalin e tij. Ora News ka siguruar një pjesë të dëshmisë së vajzës e cila ndihmoi hetuesit në zbërthimin e ngjarjes
Vajza: Fillimisht portugezi është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit, shumë pranë "Coralit". Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër. Motorin e kam blerë unë, e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen Lezhë, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë.
Dëshmitarja ka treguar se vrasësi nga Portugalia ishte miqësor me banorët e zonës së Kakarriqit teksa gjithmonë i përshëndeste në gjuhën shqipe.
Vajza: Portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në gjuhën shqipe, por me Edmondin komunikonte në anglisht.
Nga verifikimi i policisë, ka rezultuar se me datën 14 shkurt të këtij viti ka qenë edhe vizita e parë e vrasësit në vendin tonë, i cili më pas ka dalë në 19 prill në orën 19:26 minuta në pikën e Kapshticës si këmbësor.
Sipas policisë lidhja e shtetasve të huaj me shqiptarin Edmond Haxhia është faktuar nga kamerat e sigurisë pasi 4 britanikët dhe portugezi janë pritur në aeroport nga Haxhia i cili rezulton të jetë i afërm i familjes Lekstakaj.
Po ashtu gjatë bastisjes së dhomës 302 të një hoteli ku ka qëndruar shtetasi britanik i cili ka pasur rolin e vëzhguesit Harry Simpson, në automjetin me targa AA837 ZM, të përdorur nga Edmond Haxhia, është gjetur një veshje hixhab grash, dhe është përftuar një profil biologjik, i njëjtë me profilin e një çamçakëzi të gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia.

