Britania kthen 1 mijë shqiptarë pas marrëveshjes Rama-Sunak

Pesë muaj pas nisjes së operacioneve të përbashkëta në Tiranë dhe në Londër kundër emigracionit të paligjshëm më shumë se 1 mijë shqiptarë janë kthyer pas në vendin tonë. Qeveria britanike publikoi një bilanc të rezultateve të planit të përbashkët ndërsa theksoi se çdo shqiptar që hyn ilegalisht në mbretërinë e bashkuar nuk duhet të ketë iluzione pas do të kthehet mbrapsht.

Qeveria britanike njoftoi se rreth 1 mijë shqiptarë janë kthyer pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve më 13 dhjetor të vitit të kaluar kundër emigracionit të paligjshëm.

Ekipet operacionale në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri kanë intensifikuar punën kundër migrimit të paligjshëm, veçanërisht kundër kalimeve me varka të vogla në Kanalin Anglez.

Pas deklaratës së përbashkët mes dy kryeministrave Rama dhe Sunak të cilët firmosën planin e përbashkët të veprimit, shifrat e reja tregojnë se mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri.

Qeveria britanike thotë se kjo shifër është një kombinim i azilkërkuesve të refuzuar, shkelësve të huaj dhe kthimeve vullnetare.

Ekipet operacionale të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë ngritur një Task Forcë të përbashkët që kryen kontrollet e përforcuara për kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, verifikimet e shtuara për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe dhe shkëmbimi i oficerëve të lartë të policisë në të dy vendet.

Deklarata e shpërndarë nga ambasada britanike në Tiranë citon kreun e Policisë Kufitare dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, të ketë thënë se pala shqiptare po punon krah për krah me kolegët britanikë nën Task-Forcën e përbashkët të migracionit për të parandaluar migrimin e parregullt në Mbretërinë e Bashkuar dhe krimet e lidhura me to.

Policia Kufitare dhe Migracionit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin rrugën legale të migrimit dhe garanton se të gjithë personat që shkelin ligjin do të përballen me pasojat.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Zbatimit të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, ka theksuar se shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, nuk duhet të kenë asnjë iluzion për të qëndruar aty pasi do të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Në vitin 2022 ka pasur 1888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 raste janë janë kthime të detyruara dhe 934 të tjera kthime vullnetare.