Dënohen bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, pastrim parash në Tiranë për llogari të mafias italiane

Kunati dhe ish-shoferi i biznesmenit Rezart Taçi u shpallën fajtorë nga Gjykata e Posaçme për akuzën e pastrimit të parave. Artur Balla dhe Bledar Lilo u dënuan në total me 21 vjet heqje lirie, ndërkohë dosja ndaj sipërmarrësit është ndarë, pasi policia nuk ka mundur ta arrestojë. Ata akuzohen se kanë tentuar të pastrojnë një shumë prej 18 milionë eurosh të transferuar në Tiranë për llogari të italianit  Francesco Zummo, i dyshuar për lidhje me Cosa Nostran.

Gjykata e Posaçme dënoi me 11 vite burg Artur Ballën, kunatin e biznesmenit Rezart Taçi, dhe truprojën e këtij të fundit Bledar Lilo me 10 vjet heqje lirie.

Ata akuzohen nga Prokuoria e Posaçme për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal në lidhje me një shumë të konsiderueshme monetare e cila u transferua nga Italia në Shqipëri.

Avokati Ardian Visha që mbron Lilon tha se klienti i tij ka qenë thjesht shofer dhe se nuk mund të akuzohet për një vepër penale të cilën nuk e ka kryer.

Të njëjtin qëdrim duke kërkuar pafajësi mbajti edhe avokati i Artur Ballës, Sokol Hazizaj.

Dosja me provat për biznesmenin Rezart Taçi, i cili vijon të jëetë në kërkim ndërkombëtar është ndarë më vete.

Sipas SPAK, tre të dyshuarit, Lilo, Taçi dhe Balla akuzohen për pastrimin e mbi 18 milionë eurove që u transferuan në Shqipëri për llogari të italianit të Cosa Nostrës, Francesco Zummo.

Shuma në fjalë është bllokuar në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.

Sipas SPAK, Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunin me bosin Cosa Nostrës Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli kanë organizuar skemën komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme.

Transfertat e parave bëheshin për pastrimin e tyre sipas porosive që jepte biznesmeni Rezart Taçi përmes kompanisë së tij, duke vepruar në një llogari bankare në Tiranë.

Fondet më pas duhet të transferoheshin në Hong Kong dhe Singapor.

Biznesmeni shqiptar përllogaritet të fitonte rreth 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% të shumës.

Origjina e mbërritjes së parave ishte një bankë në Kantonin zviceran të Ticinos, pjesa e pasurisë së bosit të Cosa Nostrës Francesco Zummos.