"Tasi" i Korçës po përgjohej për vrasjen e Rexhepit, por u kap për blerje votash në llogari të deputetit Nallbati
Ekzekutimi në 30 dhjetor 2012 i biznesmenit Ilir Rexhepi në Elbasan, ka shtyrë prokurorinë e qytetit të hetojë mbi rolin në këtë ngjarje të tre personave nga qyteti i Korçës.
Mihal Toshi alias Mirgen Toshi, Kosta alias Anastas Ccollaku që në Korçë njihet si "Tasi" dhe Ervis Çollaku, gjatë vitit 2020-2021 janë mbajtur në përgjim dhe vëzhgim nga policia kriminale e Elbasanit.
Ata dyshohet se kanë vepruar në Elbasan si vrasës me pagesë, për llogari të një grupi kriminal në këtë qytet.
Ndërsa për njërin prej tyre Mihal Toshin, prokuroria zbuloi një gjurmë ADN-je gjaku që e nxjerr zbuluar atë si pjesëmarrës direkt në vrasjen e Rexhepit, prokuroria ka vijuar hetimet për dy Çollakët e tjerë nga Korça.
Por teksa prokuroria e Elbasanit, përgjonte TASI-n, si autor të dyshuar për vrasjen e Ilir Rexhepit, vëllain e Roland Rexhepit (Doda), TASI, del në përgjime teksa komunikon me një person për blerjen e votave për llogari të kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Korçës, Bledjon Nallbati.
Gjithçka është zhvilluar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ku bisedat mes Anastas Çollakun dhe Gjergji Butka, rezultojnë se janë zhvilluar në datat 23 dhe 24 prill 2021.
Gjatë komunikimeve Çollaku përdor një numër celular +603, të regjistruar në emër të gruas së njërit prej shokëve të tij.
Në datën 23 prill në orën e pasdites Anastas Çollaku, komunikon në telefon me një petson që mban numrin +091, ku mes tyre zhvillohet kjo bisedë si më poshtë:
+091:Alo.
Tasi: hë mo ça bën?
+091: kush je..?
Tasi: Unë kush jam oo
+091: Hë mo Tasi.
Tasi: he mo ku, je ça po bën?
+091: hiç jam këtej poshtë
Tasi: babi erdhi, apo s'është këtej?
+091: jo bre akoma s'ka ardhur babi.
Tasi: juve votoni?
+091: ç'ne bre që ne s'votojmë
Tasi: njëri nga ju nga grupi juaj?
+091: po kam unë dy shokë..
Tasi: shikoje ato dy shokët të të themi ku të ashtu, për një shokun tonë.
+091: mirë.
Tasi: babi s'vjen për votime do jetë andej?
+091: jo jo jo
Tasi: mirë, se do të marr unë pastaj.
+091: mirë hajde.
Ndërkohë në datën 24 prill 2021, rreth orës 10:25 Tasi-Kristo Çollaku, komunikon me Gjergji Butkën dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Butka: Alo
Tasi: ç'bën mo si je?
Butka: po hiç ja kështu i sëmurë.
Tasi: more veshtë kush jam?
Butka: eee
Tasi: e more veshtë kush jam?
Butka: jo
Tasi: po pse flet atëherë?
Butka: po mua virusi me la me pasoja...
Tasi: Tasi jam ore Tasi!
Butka: Tasi, po mirë në Tiranë bëra një muaj, ti e di.
Tasi: do të marr nesër paradite.
Butka: eee
Tasi: e të marr shkojmë votojmë për njërin dhe do të respektojmë mirë.
Butka: po për të dhën e kam...
Tasi: po për atë po ta kërkojmë dhe ne.
Butka: se mu dha një garanci...
Tasi: po mir mir, po do të takoj unë.
Butka. epo do më japi ai, po bëra atë do me japi 30 mij lekë?
Tasi: japi 30 mijë do të të them një llaf unë.
Butka: po nuk bëhen këto gjera në telefon o vlla.
Tasi: prandaj po them o budalla, do të vish nesër te lokali të të mar të vish të rrish aty.
Butka: ku atje ku rri?
Tasi: eee
Butka: në mëngjes herët nuk vi dot unë.
Tasi: po jo në mëngjes, nga dreka.
Butka: pse aq vonë do të votojmë?
Tasi: ti e di, shikoje vetë e më thuaj.
Butka: mirë o vlla.
Ndërkohë në datën 25 prill 2021, në ora 9:37 Anastas Çollaku bisedon me numrin +504 me emrin Visi, dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Visi: Hë mo?
Tasi: hë mo Viso mirmëngjes!
Visi: mirmëngjes.
Tasi: votovi babi juaj?
Visi: se kam pyetur.
Tasi: ti vajte votove?
Visi: jo, ja pastaj
Tasi: e mirë, se mos harrosh të ja japësh Gledjonit...ore!
Lidhur më këtë situatë në prokurorinë e Elbasanit është marrë në pyetje Gjergji Butka, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë njohje me Anastas Çollakun nga Korça.
Për më tepër Butka ka treguar në prokurori se nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Por nga një verifikim të kryer pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prokuroria e Elbasanit ka zbuluar se Gjergji Butka, ka votuar në 25 prill, pranë qendrës së votimit me nr.3636 në shkollën "Sevasti Qiriazi" në Korçë.
Gjithashtu nga dokumentacioni i administruar pranë KQZ, rezulton se në koalicionin zgjedhor PD-AN, në renditjen shumëemërore numri 4 ishte kandidati për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Bledjon Nallbati.
Në këto zgjedhje parlamentare, Nallbati fitoi mandatin e deputetit, dhe aktualisht është deputet i PD në qarkun e Korçës.
Lidhur me këtë situatë, në muajin Mars 2023 prokuroria e Elbasanit, ka lëshuar masën e sigurisë "arrest në burg" në mungesë për Anastas alias Kristo Çollakun.
Çollaku mundi të arrestohet 5 ditë më parë nga policia e Elbasanit, për akuzën e "Korrupsionit aktiv në zgjedhje".
Ndërsa ditën e djeshme gjyqtarja Idush Maliqi, vendosi të mbyllë në burg Anastas Çollakun, duke caktuar masën "Arrest në burg".
Ndërkohë verifikimet për Çollakun si autor i mundshëm i vrasjes së Ilir Rexhepit, vijojnë të jenë ende aktive.
