Zgjidhja për pronat në Himarë, Bejleri: Në 12 vite s'u ngrit kurrë zëri kundër qeverisë, vodhën qytetarët për pushtetin e tyre

Fredi Bejleri, kandidati i "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë Himarë në një intervistë për RTV Ora foli mbi prioritetet që ai do të ketë me fitoren e 14 majit.

I akuzuar nga kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe Taulant Balla se ka qënë i përfshirë në masakrën e Peshkëpisë në 1994 ai tha se thashmë çështja është mbyllur me vendim të formës së prerë dhe është vërtetuar pafajësia e tij.

"Me z.Balla kemi lënë takim në Gjykatë. Është një histori e vjetër, çështja është hapur tre herë në Shqipëri. Herën e fundit e hapi Gjykata e krimeve të Rënda dhe e përfundoi SPAK që vendosi se nuk jam i përfshirë në këtë çështje kriminale. Çështja është mbyllur me vendim të formës së prerë. Besoj se Idrizi dhe Balla nuk kanë kompetenca më të forta sesa SPAK," tha ai.

Bejleri foli dhe për çështjen e pronave në Himarë që vazhdon të jetë ende një problem prej disa vitesh tashmë e me të cilën ka patur shumë problematika e korrupsion sipas tij në 12 vite.

"Në 2011 me regjistrimin e pronave të himariotëve ne kemi pasur një tender ndërkombëtar, model atëhere nga zoti Bollani, merrej OSBE me menaxhimin e kësaj situate. Pas ardhjes në pushtet të Gorros, iku OSBE dhe për ta zgjidhur këtë merret Gorro dhe 18 drejtorat e kadastrës që janë dëbuar ose kanë dhënë dorëheqjen në vitet e fundit.

Nuk është e lehtë dhe nuk mund ta zgjidhë vetëm një kryetar bashkie çështjen e pronave. Duhet të kemiparasysh 2-3 parime sipas Kushtetutës që thotë se toka mund të dhurohet, trashëgohet ose blihet.

Në Himarë për Gorron dhe njerëzit e tij tokën ta fal partia. Janë munduar gjithë këto vite me tapi të gjelbëra, me falsifikime e mbivendosje të blejnë ndërgjegjen e njerëzve dhe të mbajnë veten e tyre në pushtet. Këto nuk do të ndodhin më. Nëse më 15 maj unë jam në krye të bashkisë do ngre zërin. Gorro në 12 vjet asnjëherë nuk i ka thënë jo kësaj qeverie," tha ai.