Opozita bllokon komisionerët/ Shkak, "paqartësia" e PDIU-së. KQZ shtyn vendimin për anëtarin te 4-t të GNV-ve

KQZ shtyu zgjedhjen e anëtarit të 3 dhe 4 për grupet e numërimit të votave, për shkak të paqartësive të opozitës në lidhje me partinë për drejtësi integrim dhe unitet. Përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkoi ndëshkim për ndryshimin e 6 qëndrave të votimit në Tiranë dhe në Bulqizë të cilat janë vendosur në ambjentet e policisë bashkiake.

Kërkesa e opozitës u bë shkak që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të shtyjë vendimin për zgjedhjen e anëtarit të 3-të dhe të 4-ët të grupeve të numërimit në  zgjedhjet e 14 majit.

Përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkoi që të sqarohet pozicioni i PDIU në këto zgjedhje, nëse do të rreshtohet në krah të mazhorancës apo të opozitës, për të kuptuar më pas edhe përkatësinë e anëtarit të kësaj force politike në grupet e numërimit.

Altin Kaziaj: “Të shtohet një pyetje e 3 në Kuvend se cili ka qenë qëndrimi i deputetëve të PDIU në Kuvend për të ditur se kujt i përkasin, mazhorancës apo opozitës, pasi nëse miratohet anëtari i 3 apo i 4 që mbështet mazhorancën opozita ngel bosh”.

Në debat ndërhyri përfaqësuesi ligjor i PDIU, i cili sqaroi se kjo forcë politike është në opozitë.

“PDIU është parti opozitare, flasin këto të Kuvendit të dhjetorit”, tha ai.

Në mbledhjen e KQZ, sekretari i përgjithshëm tha se 6 qendra votimi në Tiranë dhe një në Bulqizë, ishin vendosur në ambientet e policisë bashkiake, çka bie në kundërshtim me ligjin.

Për këtë vendim, përfaqësuesi i koalicionit Berisha-Meta, Altin Kaziaj kërkoi marrjen e masave penalizuese për autorët e kësaj shkelje.

Altin Kaziaj: “Si ka mundësi që 6 qendrat e votimit janë vënë në polici bashkiak. Po bëhet lojë e pisët ndaj duhet të merrni masa ndaj personave të papërgjegjshëm që vënë një zonë dhe më vonë, me qëllimshmëri për shkak të papërgjegjshmërisë të personave publik që kanë për detyrë për të vënë një garanci dhe në këtë rast po sjell dëm. Është skandaloze që nuk dihet ku të votohet.”

Në mbledhjen e së enjtes, KQZ miratoi edhe printimin e sasisë së plotë të fletëve të votimit në bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan ku do të zhvillohet votimi elektronik.