Nënkalimi tek Sheshi Skënderbej, PL publikon projektin: Do të kushtojë vetëm 4.5 mln euro e do çlirojë Tiranën nga ankthi i trafikut

Një nga premtimet e bëra nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës Belind Këlliçi është mbikalimi tek Sheshi Skënderbej.

Një gjë e tillë është parashikuar të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në kryeqytet.

Kreu i PL-së Ilir Meta ka postuar sot një video të projektit të nënkalimit i cili sipas tij do ta çlirojë Tiranën nga ankthi i trafikut.

"Projekti i Kryebashkiakut të ardhshëm, Belind Këlliçi çliron Tiranën nga ankthi i trafikut," shkruan Meta.

Ndërkohë Tedi Blushi u shpreh se ky nënkalim do të kushtojë rreth 4.5 mln euro, një shumë sipas tij plotësisht e përballueshme nga Bashkia Tiranë.

"Kaq e thjeshtë është zgjidhja për trafikun e rënduar në Tiranë!  Nënkalimi do të ulë trafikun me 60% në zonën përreth Sheshit "Skënderbej".

Nënkalimi do të ulë trafikun mesatarisht 35% në zonën e Tiranës urbane. Nënkalimi do të ndërtohet për 18 javë, brenda vitit 2023.

Nënkalimi përllogaritet të kushtojë përafërsisht 4.5 milionë euro, plotësisht e përballueshme nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Projekti i realizueshëm i Kryebashkiakut të ardhshëm, Belind Këlliçi është në duart tuaja! Prezantojeni këtë video me çdo të afërm, fqinj, mik dhe qytetar të Tiranës për t'i dhënë fund ankthit të trafikut," shkroi Blushi.