“Nisma Thurje” çel fushatën, Shabani: Të nxjerrim në pension klasën e vjetër politike, nuk inspiron më askënd!
Me moton për të nxjerrë në pension klasën politike Nisma thurje ka hapur fushatën elektorale. Endri Shabani dhe Pano Soko kanë theksuar se sjelljet e politikanëve të vjetër kanë bërë që të rinjtë të humbin shpresën
“Nisma Thurje” çeli ditën e hënë fushatën zgjedhore për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për këshillat bashkiakë, Endrit Shabani në fjalën e tij theksoi se synimi është të nxjerrin në pension klasën politike 33-vjeçare, duke akuzuar se e kanë sjellë vendin në pikën ku të rinjtë nuk e shohin më të ardhmen në vendin e tyre.
“Po ecim në kohën e chat gyp, kemi ende alternativa ish-sekretarët e Partisë së Punës të kohës së komunizmit. Është një elitë e cila nuk e njeh këtë brez. Por mbi të gjitha, nuk e inspiron dot këtë brez. Sado që të zgajsi dimri, pranvera do të vijë”, tha Shabani.
Pano Soko gjatë shpjegimit të programin nënvizoi nevojën që ka Tirana për të patur një transport publik, çka e bën të nevojshme anullimin e konçesioneve që janë dhënë për urbanët.
“Për të gjithë ata qytetarë që kanë paguar çmimin e shtrenjtë të ujit pa e marrë ujin mbrapsht, t’u kthehen lekët të gjithë një më një dhe çmimi të shkojë sërish 45 lekë. Këta deri më sot kanë vjedhur, por neve do t’ua presim duart”, theksoi Soko.
Soko gjithashtu shpjegoi se synimi i Nismës Thurje është që duke shkuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të kërkojë uljen e çmimit të ujit të pijshëm, si dhe të hetojë se çfarë është bërë me paratë që u mblodhën për të siguruar 24 orë ujë pa ndërprerje.


